Secondary Adv

Veliaj letër Këshillit Bashkiak, kërkon të jetë prezent në mbledhjen për shkarkimin e tij

Kryebashkiaku I Tiranës, Erion Veliaj I është drejtuar me një shkresë Këshillit Bashkiak, ku kërkon të degjohet përpara se të nisë votimi për shkarkimin e tij.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i ka drejtuar sot një kërkesë anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës, që të jetë i pranishëm në mbledhjen e këtij këshilli që është planifikuar për të martë (23 shtator) ku do diskutohet për shkarkimin e tij.

 

Në kërkesën e tij, kryebashkiaku Veliaj sqaron se mungesa për mbi 6 muaj nuk është pasojë e vullnetit të tij, por rrjedhojë e një mase sigurie disproporcionale, për të cilën shprehet se do ta kundërshtojë në çdo instancë gjyqësore, deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

 

“Shkaktar i saj nuk është as Kryetari i Partisë Socialiste, as Partia Socialiste, as ju këshilltarë, por një vendimmarrje gjyqësore që ka ndërprerë në mënyrë të padrejtë një mandat kushtetues”, shprehet Veliaj në kërkesën që ka bërë.

 

Kryebashkiaku i Tiranës kërkon që të dëgjohet në këtë mbledhje, siç thotë ai, përpara se të merret një vendim për shkarkimin e tij.

 

Veliaj thotë që kjo zgjidhje politike që po tentohet të vihet në zbatim, nuk mund të bëhet me një tjetër shkelje nga pushteti vendor, duke iu referuar kështu shkarkimit të tij, që nëse ndodh, siç thotë ai, do të shkaktonte precedent të rrezikshëm për pushtetin vendor.

 

Erion Veliaj qëndron në paraburgim me masë sigurie “arrest në burg” që prej 10 shkurtit 2025, kur u arrestua me urdhër të GJKKO pasi akuzohet nga SPAK për 13 akuza, mes të cilave 9 raste korrupsioni.

 

Këshilltarët socialistë në Bashkinë e Tiranës u vunë në lëvizje duke nisur procedurën për shkarkimin e Veliajt pas kërkesës së Edi Ramës në Asamblenë e PS, duke u mbështetur në shkeljen e nenit 62, gërma C, të Ligjit 139/2015 "Për Vetëqeverisjen Vendore", që ka të bëjë me mosparaqitjen në detyrë për të paktën 3 muaj.

 

Sipas ligjit, Këshilli Bashkiak propozon për shkarkimin nga detyra të Erion Veliajt, ndërsa firmën përfundimtare e ka Kryeministri.

 

Socialistët e kanë gati kandidaten me të cilën do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Tiranës, ajo është Ogerta Manastirliu.

 

Por nëse vendimin e shkarkimit nga detyra, kryebashkiaku Erion Veliaj zgjedh ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim, atëherë i gjithë procesi do të pezullohet dhe Presidenti nuk do të mund të shpallë dekretin për zgjedhje të pjesshme në Bashkinë e Tiranës, deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. /Shqiptarja


Më të lexuarat